Pyetjet më të shpeshta

Më poshtë mund t’i gjeni pergjigjet e pytjeve më të shpeshta drejtuar tifogrupit.

Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë dhe fuqinë e grupit tonë. Mirëpo jemi edhe të vetëdijshëm se sa më i fuqishëm dhe më me ndikim të jetë një person apo një grup, edhe pergjegjësitë janë më të mëdhaja. Të qenurit prijës në përkrahjen e Kombëtares shqiptare sa është kënaqësi ka edhe vështirësi. Por menaxhimi i saj është i lehtë kur mendon se jemi të orientuar në anën e duhur të lëvizjeve kombëtare shqiptare. Ne jemi në linjën e njejtë me Rilindasit, veprimtarët, mendimtarët shqiptarë, si dhe me idealin e UÇK-së, të cilët janë betuar e kanë punuar që rrugëtimi i shqiptarëve të mos ndalet deri në bashkimin e trojeve, e njerëzve, duke shlyer kështu padrejtësitë ndaj popullit tonë.

Ne e dijmë që zgjidhja më e lehtë është të heqësh dorë nga ideali. Idealistët gjithmonë janë sulmuar nga skeptikët e nga frikacakët. Mirëpo ne kemi vendosur që të përballemi me çdo sfidë që na del përpara sepse besojmë fuqishëm në projektin e popullit për bashkim.
Ne besojmë që shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në një shtet e në një Kombëtare.

Ne mendojmë se nuk e ndjejmë vetëm ne në këtë formë dashurinë për shqiptarët. Njejtë mendojnë edhe shqiptarët në Maqedoni, Luginë të Preshevës e në Mal të Zi (ne e kemi edhe nëngrupin Plisat – Ulqin).
Do të ishte hipokrizi dhe pabesi ndaj shqiptarëve në këto troje jashtë Shqipërisë e Kosovës, në qoftë se do t’ua kthenim shpinën e t’i linim nën regjimin maqedon, serb a malazez.

Të njejtën dashuri ne e kemi dhe e kultivojmë edhe për Kosovën dhe për te gjitha këto trojet e lartpërmendura, mirëpo ne mendojmë se nuk mund të jesh patriot poqëse sheh vetëm në oborrin tënd. Kombi ka përgjegjësi më të larta.

Prandaj, sa i përket kësaj teme, ne i bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, ku do që jetojnë, të gjitha grupeve të tifozëve, të gjithë sportistëve e të dy shteteve shqiptare, të mos harrojnë se shërbimi ndaj atdheut e puna për popullin është detyra më e lartë që një njeri mund ta ketë!

Mos harroni, realiteti e jeta shqiptare nuk fillon e nuk përfundon vetëm në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në të gjitha trojet shqiptare – ku shqiptarët jetojnë ende nën pushtim.
Siç e thotë edhe brohoritja jonë e fillimit të secilës ndeshje: KU KA PLISA ËSHTË SHQIPNI!

Kjo çështje duhet të trajtohet nga dy këndvështrime. 1. Duhet ta spjegojmë situatën dhe periudhën në të cilin është krijuar grupi ynë, PLISAT, si dhe 2. Duhet ta tregojmë ngjarjen konkrete që çoi në emërtimin e grupit.

Duke i ditur rrethanat në të cilat populli i Kosovës ka jetuar në fundin e viteve 80, atëherë kur është krijuar grupi ynë, është shumë e lehtë ta kuptojmë pse grupi e morri këtë emër.
Plisi (apo qeleshja) është kapuçi i bardhë që shqiptarët e kanë bartur tradicionalisht në kokë, e i cili duke qenë simbol identifikues i shqiptarëve, u bë shumë i papëlqyeshem, madje trishtues për armiqtë tanë.
Në anën tjetër, përkrahja e gjithëmbarshme popullore për Prishtinën, ne atë kohë, ishte shndërruar në një rezistencë kolektive ndaj regjimit të atëhershëm Jugosllav, i cili ishte tërësisht i padrejtë për shqiptarët në Jugosllavi. Shqiptarët nga të gjitha viset vinin në Prishtinë dhe identifikoheshin me klubin e kryeqytetit, i cili që nga ajo kohë, për shkak të sukseseve e përkrahjes, padyshim që u shndërrua në klubin më të madh shqiptar.
Se si ndodhi konkretisht emërtimi i grupit, duhet të kthehemi prapa, në vitin 1987, me datë 6 shtator, në ndeshjen PRISHTINA – Sutjeska e Nikshiqit. Pas “padëgjueshmërisë” së disa djemve të kryeqytetit, të vendosur në tribunën Lindore të stadiumit të Prishtinës, policia e atëhershme e arrestoi njërin nga ta. Duhet të kihet parasysh, se në atë kohë arrestimi merrte konotacion politik menjëherë dhe ishte tejet i rrezikshem, madje edhe per vet jetën e te arrestuarit, nëse ai ishte shqiptar. Me rastin e arrestimit të atij djali, policia e pyeste se kush ishte, si dhe shokët e tij se kush janë. Duke mos dashur që të përgjigjen për identitetin e shokut, njëri nga ata djemë tha: Na jemi Plisat, jami bashkë!
Nga ai moment, ata djemë filluan që në ndeshjet e Prishtinës ta identifikojnë vetën si Plisat.
Pra, në vitin 1987, kur disa djemë të Prishtinës e krijuan grupin e parë të organizuar tifozërik shqiptar, PLISAT, edhe emërtimi ishte formë e rezistencës ndaj regjimit. Plisi në kokë, e emri Plisat, tregonte e do të tregojë përgjithmonë që kjo tokë është tokë shqiptare.
E bukura e gjithë kësaj është se edhe gjeneratat pasardhëse, në tribunat e kryeqytetit, e mbajnë me nder e me krenari këtë emër, ndërsa rezistencën e atëhershme të PLISAVE të vjetër, e kemi dhe do ta kemi udhërrëfim për rrugëtimin tonë në të ardhmen.

Ne nuk kemi regjistër të anëtarëve, me të cilin do të identifikonim secilin njeri që është pjesë e jona. Edhe kur kemi bërë ose bëjmë regjistër të tillë, për arsye të caktuara si: Pajisja me kartela, bileta ose rekuizita, konsiderojmë që ai nuk mund të quhet numri i Plisave sepse ne kemi shumë anëtarë nëpër të gjithë botën, qytetet e trojet shqiptare, ose madje edhe brenda qytetit tonë, të cilët jo çdoherë kanë mundësi që të jenë aktiv. Mirëpo, pjesë e jona është secili qytetar i Prishtinës, apo cilido shqiptar e njeri, i cili identifikohet me dashurinë tonë ndaj klubeve e qytetit tonë, si dhe me qëndrimet e parimet tona. Vajza e djemë, gra e burra, pleq e fëmijë të Prishtinës, pa përjashtim, i gjithë qyteti e kemi emëruesin e përbashkët: PLIS!

Varësisht nga nevoja dhe situata, organizmi ynë merr forma të ndryshme.
Për të organizuar një ndeshje brenda duhen tjera forma të organizimit nga një ndeshje në udhëtim. Pastaj, tjera forma e metoda të organizimit duhen për Prishtinën e tjera per Shqipërinë. Tjera duhen për futboll e tjera për sportet tjera. Secili organizim e ka metodën e vet, për të cilën ne përkushtohemi që ta bëjmë më së miri.
Për shembull, për t’i thirrur e mbledhur njerëzit, përdorim mjetet tona të komunikimit, përmes rrjeteve sociale ose kontaktit të drejtpërdrejt me njëri tjetrin, përdorim postera e fletushka. Për udhëtime kemi përdorur gjithfarë mjete të transportit. Ka raste që e kemi pasur aq të vështirë të gjejmë transport sa që kemi udhëtuar edhe me kamionë transportues të kafshëve ose me autobusë të trafikut urban. Në raste tjera edhe me vetura private e me aeroplanë në përkrahje te klubeve tona.

Përgjatë viteve ne organizojmë aktivitete të ndryshme edhe jashtë tribunave, qoftë humanitare, si aktiviteti jonë i përvitshëm i fundivitit ku i gëzojmë fëmijët anekënd Kosovës, me dhurata e babadimër, qoftë për organizimit a atypëratyshme – sikur ai për të mbledhur ndihma pas termetit në Shqipëri. Për këto organizime duhën forma tërësisht tjera të oranizimit, për të cilat esenciale është ndihma nga qytetarët e miqtë tanë.

Paraqitjet tona si në tribuna ashtu edhe jashtë saj, janë gjithmonë sfidë në vete. Përgjatë aktivitetit tonë shumëvjeçar, shpeshherë gjindemi në situate të vështira qoftë financiare qoftë para problemeve të natyrave tjera. Mirëpo, ne mendojmë se pasioni dhe dashuria për grupin, qytetin e kombin, then çdo barrierë. Kur grupi funksionon si i bashkuar, për të njejtin qëllim, e shumë shpesh edhe me ndihmën e miqve e përkrahësve, i’a dalim që të organizohemi në formën më të mirë.
Mirëpo, ajo që shihet nga të tjerët, në paraqitjet tona në tribunë e jashtë saj, është vetëm “maja e ajsbergut”, sepse poshtë e pas saj, është një angazhim i përditshëm, e një mënyrë e jetesës së shumë anëtarëve të grupit tonë, të cilët japin shumëçka e shpeshherë gjithçka nga vetja për ta arritur.

Financimi është një nga pikat më të ndjeshme të secilit grupacion, tifozërik dhe jo tifozërik.
Përgjatë viteve, shpeshherë kemi pasur vështirësi që t’i arrijmë e t’i realizojmë të gjitha idetë e aktivitetet tona, sepse të gjitha kanë kosto.
Shumë shpesh, anëtarët tanë kanë dhënë nga vetja gjithçka për t’i dalur në ndihmë grupit. Natyrisht, zemërgjerësia e qytetarëve, institucioneve e bizneseve, nuk harrohet nga ne dhe ne jemi tepër mirënjohës për ndihmën e tyre.
Sidoqoftë, për t’a lehtësuar dhe për ta bërë sa më transparent financimin tonë, ne e kemi filluar një formë të re, përmes vetfinancimit. Me kontributin e vet anëtarëve, me shitjen e rekuizitave, si dhe përmes aktiviteteve të ndryshme, me transparencë të plotë, do të bëjmë përpjekje që t’i përballojmë vet shpenzimet e organizimeve, udhëtimeve e realizimit të ideve tona.
Megjithatë, nuk është e lehtë të financohet një grup kaq i madh e me kaq shumë aktivitete si Plisat.

Kjo ka qenë një nga vendimet më të mëdha dhe më emocionuese që është ndërmarrë ndër vite.
Lindja ka qenë tribuna jonë që nga formimi dëri në vitin 2019. Shumë kujtime e emocione na lidhen me atë pjesë të stadiumit.
Arsyeja e vetme e lëvizjes nga tribuna Lindore në atë Jugore ka qenë organizimi më i lehtë i grupit. Aty e kemi më të lehtë t’i organizojmë, kontrollojmë e identifikojmë të gjithë ata që duan të jenë në mesin tonë. Ndarja e tifozëve aktivë nga shikuesit e thjeshtë ka qenë shumë e nevojshmë në mënyrë që grupi ynë të rikonstruktohej e të organizohej sa më mirë.
Mirëpo shtegtimi nga Lindja në Jug, nuk përbën ndonjë ndryshim të madh, ne jemi po ata – të njejtit.

Padyshim që po. Tifozëria nuk është vetëm një aktivitet i thjeshtë, nuk kufizohet vetëm në arena sportive. Tifozëria është një kulturë urbane, e cila atyre që u pëlqen e u përshtatet, shumë shpejt u bëhet mënyrë e stil i jetesës.
Pjesë e grupeve tifozërike mund të jenë vetëm ata njerëz të cilët kanë pasion e dashuri, të cilët janë të gatshëm të sakrifkojnë e të japin shumë nga vetja e tyre për grupin, shokët, klubin, qytetin e kombin. Ta “tejkalosh” vetveten si individ, për t’u identifikuar si pjesë e një grupi të caktuar, nuk është shumë e lehtë, prandaj tifozët janë specialë. Sepse janë ai lloj i njerëzve qe bëjnë gjithçka që tjetri që është përkrah tij, si dhe klubi, qyteti a kombi, ta kenë më të lehtë rrugëtimin.
Pra, si mundet një grup i përbërë nga njerëz të tillë, të qëndrojë i heshtur përballë ngjarjeve të përditshme të qytetit a kombit?

Prandaj, ne jemi iniciatorë dhe pjesë e shumë organizimeve jashtë tribunave. Disa nga to janë:

Organizimi i përvitshëm i fundit të vitit, ku në mbledhim mjete dhe dhurata nga qytetarët e Prishtinës, për t’i gëzuar fëmijët gjithandej Kosovës, dukë ju dërguar nëpër shkolla, qytete e fshatëra, babadimrin.
Mbledhja e ndihmave për qytetarët e Shkupit, të prekur nga vërshimet.
Mbledhjen e ndihmave për qytetarët e prekur nga tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri.
Jemi organizuar që të dalim edhe fizikisht në mbrojtje të qytetarëve e hapësirave shqiptare – sa herë që është paraqitur nevoja.

Duke pasur parasysh faktin që arsyeja e ekzistimit të grupit janë dashuria, organizimi dhe qëndrimet e përbashkëta, kushdo që e gjenë vetën të përfaqësuar nga Plisat, mund të jetë pjesë e jona.
Ne kemi anëtarë edhe jashtë qytetit tonë, kemi nëngrup shumë të fortë në Ulqin, ndërsa nga viti 2016, e kemi edhe grupin e djemve shumë të organizuar edhe në Evropë, kryesisht në Itali.
E tëra që duhet ta bëni është të lajmëroheni në cilindo kanal tonin zyrtar të komunikimit, ose të komunikoni personalisht me cilindo Plis dhe ne do t’ju informojmë për mënyrën më të lehtë të afrimit me grupin tonë. Të gjithë janë të mirëseardhur, merreni me vete vetëm dashurinë dhe përkushtimin për grupin, Prishtinën e shqiptarët. Mjafton! Jemi familje e madhe!

Keni akoma pyetje?

Prishtina Feston

Plisat - Festimi i 30 vjetorit

30 vjet Plis. 30 vjet krenari. Kur nata e 20 Tetorit 2017, u shndërrua në ditë.

Play Video
Shopping Basket